Policia e Tiranës ka ndaluar 50 vjeçarin Arben Goxhaj, pronarin e kompanisë AMG Food, i cili importoi nga Brazili mishin e pulës me salmonelë dhe më pas e futi edhe në tregun shqiptar.
Goxhaj ishte shpallur në kërkim pas zbulimit të skandalit, ku një sasi e madhe prej 8 tonë me fileto pule me salmonelë u hodh në treg duke vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Megjithatë në njoftimin e policisë thuhet se pas konsultimit me prokurorin, ai do hetohet në gjendje të lirë. Kujtojmë se një pjesë me mish pule me salmonelë vijon të jetë ende në treg, por nuk dihet se sa është sasia.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar ndaluan shtetasin A. G., 50 vjeç, të shpallur në kërkim për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme, për shëndetin ose jetën e njerëzëve“. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos procedimi në gjendje të lirë i këtij shtetasi”- thuhet në njoftimin e policisë.