Hodhën në treg mish pule me salmonelë, në kërkim administratori i kompanisë, në hetim i vëllai dhe 3 inspektorë të AKU

Është shpallur në kërkim administratori i kompanisë “diMal” Arben Goxha, i cili futi në treg mishin e pulës me salmonelë, që kishte ardhur nga Brazili.

Ndërkohë u procedua penalisht vëllai i tij Mondi Goxha dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Goxha dhe vëllai i tij akuzohen se hodhën në treg një sasi të madhe me fileto pule me salmonelë, edhe pse ishte bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ndërkohë inspektorët e AKU, Gezim Hushi, Sada Lufta dhe Aldo Sinjari, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të mishit të pulës, që është konsumuar nga qytetarët shqiptarë.

Burime për mediat bëjnë me dije se sasia totale e mishit të pulës me salmonelë që mbërriti nga Brazili në Portin e Durrësit më 11 mars është 18.3 tonë. Nga kjo sasi, 13 tonë është hedhur për në treg për konsumim.

Rasti është konstatuar pas proceduarave standarde, ku inspektorët e AKU-së në pikën doganore kanë marrë mostrat e mishit të importuar dhe i kanë dërguar për analizim. Deri në daljen e rezultatit të analizave mishi duhet të qëndronte i bllokuar, por ndërkohë ka ndodhur e kundërta pasi kompania “AMG FOOD“, ose e njohur me emrin tregtar si “diMal“, ka hedhur një pjesë të produktit në shitje.

Njoftimi i policisë:

Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“.

Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.