Një 18 vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Itali për të bërë një video për në Tik Tok. I riu Lorenzo Pjetrushi, kishte hipur në kofanon e makinës e cila drejtohej nga kushëriri i tij për të bërë sfidën për rrjetin social.
Ngjarja ndodhi në sheshin e ambienteve sportive Cimadolmo më 20 janar dhe prej asaj dite 18 vjeçari ka qenë i shtruar në spital, ku humbi jetën dje.
Sipas Today.it, i riu shqiptar ka qenë me disa miq dhe të afërm për të festuar ditëlindjen e kushëririt të tij.
Djemtë kishin vendosur të organizonin një shaka për djalin që kishte ditëlindjen dhe 18-vjeçari ishte ngjitur në kofanon e makinës teksa kjo e fundit drejtohet nga i afërmi.
Mirëpo, shakaja përfundoi në tragjedi dhe 18-vjeçari u rrëzua në mënyrë tragjike përtokë, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë.
Sipas hetimeve, Pjetrushi u rrëzua pasi humbi ekuilibrin për shkak të një manovre të rrezikshme të kryer nga kushëriri i tij.
Miqtë dhe familja lajmëruan menjëherë autoambulancën dhe i riu u shtrua me urgjencë në spitalin Ca’ Foncello në Treviso.
