Himarë/ Humb jetën gjatë detyrës punonjësi i OSHEE-së, po punonte për rikthimin e energjisë pas stuhisë

Një ngjarje tragjike u shënua në orët e para të mëngjesit në Himarë, ku një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike humbi jetën gjatë ndërhyrjes për riparimin e rrjetit të dëmtuar nga moti i keq.

Viktima është Bashkim Boçi, 55 vjeç, me origjinë nga Elbasani, i cili ishte angazhuar në terren për të ndihmuar ekipet që po punonin për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në zonat e prekura nga stuhia dhe erërat e forta.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00, ndërsa teknikët po kryenin punime në rrjet. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se punonjësi ka pësuar kontakt me energjinë elektrike, çfarë i ka shkaktuar vdekjen. Megjithatë, shkaku i saktë i incidentit do të përcaktohet pas ekspertizës teknike dhe përfundimit të hetimeve.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën efektivët e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar procedurat e sigurisë gjatë ndërhyrjes.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Himara dhe pjesë të tjera të bregdetit u goditën nga moti i përkeqësuar, me stuhi dhe erëra të forta që shkaktuan dëme në rrjetin elektrik, duke lënë pa energji disa zona dhe duke detyruar ekipet e OSHEE-së të ndërhynin gjatë natës për riparimin e defekteve.