Biznesmeni Elman Abule është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK). Mësohet se Abule është thirrur për të dëshmuar në lidhje me hetimet që po kryhen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ndërkohë ditën e djeshme në SPAK u paraqit gruaja e tij, Marisa Nito, për të dhënë dëshminë e saj lidhur me këtë çështje.
Elman Abule dhe gruaja e tij Marisa Nito, konsiderohen miq të afërm të familjes Veliaj, ndaj dhe pak ditë më parë me kërkesë të SPAK, gjykata miratoi kontrollin në banesën dhe biznesin e tyre.
Kujtojmë se pak ditë më parë, SPAK pas interesit të mediave doli me një njoftim zyrtar lidhur me hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
SPAK njoftoi se deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna për 4 vepra penale ndaj Veliajt, konkretisht: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.