Hetimet për Erion Veliajn, merret në pyetje nga SPAK ish-deputeti i PS, pronar i pallatit ku ndodhen zyrat e “Harabel “ të Ajola Xoxës

SPAK ka marrë në pyetje ish-deputeti i Partisë Socialiste, Vladimir Kosta lidhur me hetimet që po bëhen ndaj kryebashkiakut, Erion Veliaj. Kosta është njëherëzi pronari i “Sky Tower”, ku janë edhe zyrat e qendrës “Harabel” të Ajola Xoxës.

Pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, ish-ligjvënësi socialist refuzoi të tregonte për mediat mbi çështjen që u thirr në Prokurorinë e Posaçme.

“Asgjë s’them gjë hiç”, deklaroi ai për gazetarët.

Kujtojmë se ditën e sotme mbrojtja e Erion Veliajt bëri ankimim të masës së sigurisë “arrest me burg” të caktuar nga GjKKO. Ndërkohë ende nuk dihet data se kur kjo seancë do të zhvillohet në Apelin e GJKKO.

Kryebashkiaku Erion Veliaj akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Të njëjtat masa rëndojnë edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila akuzohet edhe për fshehje pasurie.