Hetimet ndaj Belinda Ballukut, SPAK kontrolle dhe sekuestro në bizneset e lidhura me Unazën e Madhe

SPAK ka kryer disa kontrolle në disa biznese, në kuadër të hetimeve ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe në Tiranë.

Kontrollet e Prokurorisë së Posaçme janë fokusuar në disa subjekte, kryesisht të lidhura me procedurat e tenderave të loteve të Unazës së Madhe të Tiranës.

Nuk dihet saktësisht se për cilat subjekte bëhet fjalë, por mësohet se ka pasur edhe sekuestro në disa prej këtyre bizneseve, të cilat ende nuk bëhen të ditura konkretisht se cilat janë.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti mbi 210 milionë euro.

GJKKO e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes do të bëhet në 22 Janar.

Ndërkohë, SPAK nuk ka hezituar dhe ka kërkuar të arrestojë Ballukun, pasi e konsideron rrezik për prishjen e provave, argumentim që e dha edhe për pezullimin nga detyra. Tashmë do t’i takojë Kuvendit të marrë vendim, nëse do të pranojë heqjen apo jo të imunitetit të Belinda Ballukut.