Hetimet e SPAK për Kryemadhin: Mori përsipër ndryshimin e një ligji me porosi të një biznesmeni, u shpërblye me një vilë!

Prokuroria e Posaçme doli pasditen e kësaj të hëne me një njoftim zyrtar mbi akzuat që rëndojnë ndaj Ilir Metës dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.

Kje fundit sipas Prokurorisë së Posaçme akuzohet për 3 vepra penale: Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Por cilat janë çështjet korruptive që është përfshirë deputetja e Partisë së Lirisë?

Në kohën kur bashkëshorti i saj ishte Kryetar Kuvendi, Meta dhe Kryemadhi kanë përdorur influencën në institucione dhe drejtuesit e disa kompanive celulare për futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë  “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim Meta dhe Kryemadhi, SPAK thotë se ata kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.

Më tej, SPAK njofton se nga hetimet është arritur në konkluzionin se çifti Meta-Kryemadhi kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë.

Kryemadhi me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.). 

Nga hetimi ka rezultuar se Meta dhe Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash.

Ndërkohë në “lupën” e SPAK ka qenë dhe një apartament Dublex që Meta-Kryemadhi kanë blerë me kredi në zonen e ish-bllokut, në shumen prej 310 mijë euro.

“Për periudhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”,  i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare”- njofton SPAK.