Hetimet e Prokurorisë/ Gentian Bejtja dyshohet se u vra me porosi nga Dubai, ekzekutorët nga Vlora

Vrasja e Gentian Bejtjas, ish-policit të burgjeve në mars të këtij viti vijon të jetë e pazbardhur teksa në burg ndodhen 2 persona, por ende nuk dihet se kush është porositësi i atentatit mafioz.

Mësohet se Prokuroria ka kërkuar informacione nga partnerët ndërkombëtarë, pasi dyshohet se porosia për vrasjen e tij ka ardhur nga Dubai.

Të dhënat e mbërritura, por edhe mosgjetja e disa personave me rëndësi për hetimin për t’i marrë në pyetje kanë ngritur dyshime te Prokuroria se pikërisht personi që ka kërkuar vrasjen e Gentian Bejtjas ndodhet në Dubai, ndaj është kërkuar dhe informacion nga partnerët.

Por hetimet janë shtrirë edhe në qytetin e Vlorës. Dyshohet se tre personat që ekzekutuan me breshëri kallashnikovi Bejtjan janë nga qyteti i Vlorës. Ata janë transportuar me makinë nga Edison Haxhiun dhe Ilir Beqaraj, të vetmit e arrestuar për ngjarjen kriminale.

Ish-polici i burgjeve, Gentian Bejtja u vra më 15 mars në oborrin e shtëpisë përmes një atentati të mirëorganizuar në Larushkë të Fushë Krujës.

Bejtja u kishte shpëtuar tri atentateve, por i katërti ishte fatal për të. Teksa ndodhej në oborrin e banesës duke punuar në serrë, persona të maskuar e qëlluan me breshëri plumbash duke i marrë jetën.