Partia Socialiste, me anë të Sekretarit të Përgjithshëm Blendi Klosi, ka menduar për favore të tjera për biznesmenët e mëdhenj, këtë herë duke u hequr për 10 vite tatimin mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje.
Ky projektligj ishte në fuqi deri në 31 dhjetor 2024, por Klosi ka propozuar që afati të zgjatet deri në 31 dhjetor 2026, duke bërë që nga kjo të përfitojnë edhe subjektet që marrin statusin special nga qeveria në këto 2 vite të tjera.
Por ky projektligj është kundërshtuar nga deputeti Erion Braçe, i cili është përplasur me Klosin në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Braçe është shprehur se ky projektligj është një favor fiskal që po u bëhet disa subjekteve, ndaj ka nevojë për transparencë.
Ai ka hedhur akuza se nuk u është dhënë një listë e subjekteve që përfitojnë, pasi pavarësisht kërkesës që ka bërë, nuk i ka ardhur asnjë përgjigje. Braçe deklaroi se kërkon të dijë nëse ka ndonjë rast që përfiton në zonat turistike si Velipoja, Golemi, Darëzeza apo Divjaka.
Pavarësisht kundërshtive të Braçes, projektligji është miratuar në parim.
Pjesë nga debati:
Braçe: Dua të na vini në dispozicion, sot, se është bërë e vazhdueshme që bëjmë kërkesë në komision dhe na vijnë pasi miratohet ligji në parlament, sa subjekte kanë përfituar nga kjo masë favorizuese, apo ky privilegj, nëse është lista ta kemi, ju thatë se po zhvillohen jo në zona urbane. Nga e gjitha çfarë është thënë në media, pjesa më e madhe e tyre janë përqendruar në Tiranë dhe në rast se mund të më ndihmon në listë, nëse ka një të tillë në Velipojë, Shëngjin, Durrës, Divjakë, Golem, Darëzezë, Vlorë brenda, Palasë, a janë 11, nëse janë 11 e përfshin të gjithë vijën ku bëhet turizëm, në Dhërmi, livadh, Ksamil, Sarandë. Sa është fitimi i deklaruar i tyre që kanë operuar gjatë kësaj periudhe në territorin e Shqipërisë, sa kanë deklaruar si fitim, që ne e kemi përjashtuar nga pjesa e tatimit, ky fitimi i deklaruar ça është bërë më pas, është riinvestuar apo akumuluar si pasuri e operatorëve apo më keq, riinvestuar jashtë këtij vendi, sa projekteve në janë proces, janë në punë e sipër. Çfarë përfitimesh kemi ne për hotelet me katër dhe pesë yje? Privilegje kemi? Ky është i vetëm apo ka edhe të tjerë.
Klosi: Ka shumë.
Braçe: Ka shumë, Po pse s’na i thoni? Dua të di kur janë bërë këto lehtësira fiskale. A vjen ky propozim me strategjinë e të ardhurave që ju keni miratuar dhe bërë publike, FMN është një nga argumentet që duhet vlerësuar, pyetur. Kanë ata FMN dhe Banka e Shqipërisë ndonjë opinion?
Klosi: Kush janë projektet që kanë, apo do me lejoni që t’i përgjigjem tabakut dhe Spahos. Duke ndarë të dyja kategoritë, teknike dhe politike, të gjithë këtu jemi në politikë në shërbim të qytetarëve. Status me 5 yje e kanë ato hotele që janë të ngjashme me Bashkimin Evropian apo botë, që të quhesh brand, kanë 3 të ngjashme në BE apo 7 në botë. Një investitor që lidh një marrëveshje me një brand nuk është lejuar të bëjë investime sipas dëshirës, janë hotele me 100 dhoma minimalisht, nuk është e gjithë industria, kështu e kemi ndërtuar, lokomotiva që tërheq të gjithë sektorin e turizmit, më vjen keq që e kuptoni se ku është ndryshimi, gjithë Rajoni e ka këtë.
Braçe: Le ta rrotullojmë si të duam, ky është favor fiskal dhe sa herë ka favor fiskal ka nevojë për transparencë, as duhet të shqetësohet kush as ta keqpërdorë kush që ka nevojë për transparencë, këto hotelet nuk kanë marrë favor fiskal, duhej thënë se ishte komplet opinion tjetër pikërisht për këtë gjë, duket hapur që favori fiskal që u bëmë herët se në 2029, e keni bërë juve, edhe para jush edhe pra nesh që e bëri më herët këtë gjë, favori po shkonte për këto që në fakt nuk e kanë përfituar, transparenca është që të gjithë të kuptojmë se kujt po i bëhet favori fiskal. Sektori i turizmit nuk është i mbyllur, por i lidhur me të gjitha sektoret.