“Hëngshin kokat e njëri tjetrit” deklaronte kryeministri Rama 5 vite më parë në një emision televiziv, ku diskutohej për ngjarjet kriminale në vend dhe numrin e lartë të vrasjeve që ishin ende të pazbardhura.
Këto fjalë të Ramës duket se ishin mundësia e artë që bandat kriminale prisnin, të cilat çdo vit e më shumë shtuan aktivitetin e tyre dhe filluan eleminimet një nga një të kundërshtarëve, me atentatet që ndodhnin edhe në mes të qyteteve dhe në prani të shumë njerëzve të pafajshëm.
Gjatë këtyre viteve, u shtuan jo vetëm atentatet, por edhe numri i viktimave të qytetarëve të pafajshëm, të ndodhur në vendin dhe kohën e gabuar.
Janë disa atentate të ndodhura kohët e fundit që kanë sjellë viktima të pafajshme: Në 4 Janar 4022, plumbat e kallashnikovit i morën jetën Erion Çelës, në një atentat që kishte ëpr shënjestër Geron Hasanbelliun, por që atentatorët ngatërruan person.
Në 12 Mars 2023, teksa po punonte si banakiere në një lokal në Don Bosko, do të vritej gabimisht Mimoza Paja, e cila në atë moment kishte edhe mbesën 10 vjeçare me vete, por që fatmirësisht vogëlushja nuk pësoi dëmtime.
Në Memaliaj, pak muaj më parë humbën jetën Gledio Muka, 36 vjeç, dhe Marsel Çela, 47 vjeç, në një atentat ku shënjestër ishte babai i Andrea Kalemit. Gledio Muka punonte si kamarier dhe po u shërbente klientëve në kohën që atentatorët zbrazën plumbat e kallashnikovit mbi trupin e tij.
Sot, ndërroi jetë Enea Themollari, 29 vjeç, i cili mbeti i plagosur në atentatin ndaj motrave Nikoli, në banesën e të cilave ishte vendosur tritol. Ai u dërgua menjëherë drejt spitalit, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pjesa më e madhe e ngjarjeve kriminale kanë mbetur ende pa autor, ndërkohë që vijojnë të shtohen atentatet dhe viktimat, mes tyre edhe shumë të pafajshëm.
Nga ana tjetër, policia vijon të njoftojë për arrestimet e qytetarëve që kapen me ndonjë qese të vogël kanabis dhe për mijëra gjoba që vendos çdo ditë, teksa kriminelët duket se i ka kapur “amnistia” dhe lëvizin të lirë.
Kokat e njëri tjetrit po i hanë, por bashkë me to, po hanë edhe kokat tona! Kjo duhet të marrë fund!