Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i është zgjatur sërish masa e paraburgimit nga ana e Gjykatës Speciale.
Vendimi është marrë më 24 maj, pasi trupi gjykues ka konsideruar se po të lihej i lirë Thaçi do të pengonte procesin gjyqësor.
“Në konstatimin e fundit tregon se një rrezik i tillë vazhdon të eksizojë. Paneli e riktheu vlerësimin e tij të mëparshëm se Thaçi ka interesin dhe aftësinë për të ndikuar në procedurat; (ii) ka tentuar të nënvlerësojë KSC-në dhe ka ofruar përfitime për personat të thirrur nga SPO; (iii) ka një pozicion të ndikimit në Kosovë që mund t’i lejojë atij të përfitojë mbështetjen e simpatizantëve; dhe (iv) duke marrë parasysh gjyqin që po vazhdon, ka njohuri të shtuar për provat që mbështesin akuzat e rënda kundër tij.
Për më tepër, ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjen në procedurat penale kundër ish-anëtarëve të UÇK-së në Kosovë, çka Gjykata e Apelit ka pranuar si një ‘konsideratë kontekstuale’ relevante. Gjetje të ngjashme u bënë në aktgjykimin për Mustafën dhe vendimin e Apelit për Gucatin dhe Haradinajn. Trupi gjykues vlerësoi se ‘mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje e rëndësishme dhe aktuale në Kosovë’, dhe vuri më dukje dëshminë e ekspertit të mbrojtjes, Robert Reid, i cili tha se në mbi 20 vite në këtë fushë, ai kurrë nuk kishte parë kërcënim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë”, thuhet në vendimin e Speciales për vazhdimin e paraburgimit.
Rikujtojmë se ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.