Infrastruktura, zhvillimi ekonomik për aktivitetet private dhe mbështetja për zhvillimin e kapitalit social dhe njerëzor, ishin tri shtylla në të cilat supozohej të mbështetej programi i famshëm i qeverisë Rama “100 fshatrat”. Nga Jugu në Veri të Shqipërisë u përzgjodhën 100 fshatra tek të cilat do të investohej në shifra të larta, për t’i kthyer ato në vende mjaft tërheqëse për turistët vendas dhe kryesisht ata të huaj.
Programi u prezantua në shkurt të vitit 2018 dhe do të ishte në afat 4-vjeçar. Lista me 100 fshatrat përmbante vende si Lëpushë, Razëm/Vrith, Theth, Drisht, Qelëz, Kryezi, Mjedë, Zogaj në Shkodër dhe Malësi e Madhe; Valbonë, Cahan, Shtiqen, Shishtavec në Kukës, Tropojë; Fishtë, Ishull-Lezhë, Orosh, Skuraj, Kukël, në Lezhë; Radomirë, Bushkash, Rabdisht, Zerqan, Guri i Bershë, në Dibër , Bulqizë; Halilaj, Shetaj, Radë, Metaliaj, Shënvlash, Gjepalaj në Durrës, Krujë; Prezë, Marikaj, Shesh, Laknas, Shëngjergj, Pëllumbas, Pezë, German, Karpen, Vilë Bashtovë në Tiranë, Kavajë; Stëblevë, Dardhë, Rrajcë, Skënderbej, Shushicë, Gjinar, Shënavlash, Sotirë, Shtremen, Pajovë, Seferan në Elbasan, Librazhd; Goricaj, Krutje, Ardenicë, Libofshë, Luar, Siceqë, Hekal, Çakran në Lushnjë, Fier; Kozarë, Malas Breg, Roshnik, Qafë Dardhë, Kapinovë, Blezenckë në Berat, Skrapar, Kuçovë; Zvërnec, Drashovicë, Plloçë, Kaninë, Dhërmi/Vuno, Kuç, Lukovë, Rusan, Çukë, Mesopotam, Mursi, Tragjas në Vlorë, Sarandë; Kalivaç, Nivicë, Peshtan, Kosinë, Malëshovë, Leuse, Antigone, Zhulat, Dhoksat, Lazarat, Nepravishtë, Sotirë në Gjirokastër; Lin, Tushemisht, Gurras, Zvirinë, Zaroshkë, Voskopojë, Boboshticë, Dardhë, Arrëz, Nikolicë, Rehovë, Borovë, në Korçë, Pogradec.
Përmes këtij programi, synohej zhvillimi i hapësirës rurale, nëpërmjet fokusit të qendërzuar (programim i integruar dhe i koordinuar) i investimeve publike, atyre të donatorëve dhe investimeve private, në hapësirën e mirë përcaktuar të 100 fshatrave, me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-social, agroturizmit dhe turizmit rural, natyrës dhe mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore. Programi ishte parashikuar të mbyllej në periudhën 2018- 2020. Për shkak të tërmetit të vitit 2019 si dhe pandemisë, realizimi i programit u shty për t’u mbyllur maksimumi në vitin 2022. Jemi në mesin e vitit 2023 dhe është koha për një bilanc. Secili prej nesh mund të ketë parë të paktën disa prej këtyre fshatrave gjatë këtij viti. Në shumicën e këtyre fshatrave, nuk gjen shenja ndryshimi. Por do të shohim përmes raportit të KLSH-së, rezultatet e programit të qeverisë për “100 fshatrat” dhe për cilat arsye dështoi si program.
Në raportin e publikuar në nëntor 2022, KLSH paraqet rezultatet e auditimit për performancën e programit “100 fshatrat” duke u përqendruar tek realizimi i investimeve dhe roli i institucioneve të përfshira në këtë program. Një grup i madh zyrtarësh që vijnë nga 5 institucione dhe 6 universitete duke i shtuar edhe ekspertë të fushës së turizmit dhe agrobiznesit. Lista e gjatë e personave të angazhuar në hartimin e këtyre projekeve për secilin fshat, i ka kushtuar buxhetit të shtetit shuma të konsiderueshme. Sipas raportit të KLSH-së: vetëm gjatë vitit 2018, fondi i shpenzuar për këtë projekt ka arritur në vlerën 24,412,000 lekë ose në masën 93.18 %, të planit të miratuar, fond ky i shpenzuar për mbulimin e honorarëve të grupeve të punës dhe udhëheqësve rajonal, referuar Lidhjes nr.1, të VKM-së nr. 492, date 26.07.2018, “Mbi masat e pagesave si dhe kontratave të bashkëpunimit”.
Sic evidentohet në rezultatet e auditimit të KLSH, grupi i punës për programin 100 fshatrat ka shpenzuar vetëm gjatë një viti rreth 2.2 milionë euro për honorare. Sa i përket angazhimit të këtij grupi pune që është paguar me rreth 2.2 milion euro, KLSh ka konstatuar se: nuk është dokumentuar aktiviteti dhe përbërja e Komisionit Ndërministror, i cili duhet të vendoste për ecurinë e programit dhe nuk rezulton të jetë ngritur as Sekretariati Teknik për të mbështetur Komisionin.
Supozohej që 100 fshatra të ishin sot me pamjen e premtuar kur u ideua ky projekt, pesë vite më parë. Por cili është realiteti në terren?! Raporti i KLSH na ndihmon me gjetjet e auditimit për të parë nga afër rezultatet e këtij programi. Nga auditimi i KLSh rezultoi se nga 97 aplikime për agroturizëm e turizëm rural, të aplikuara në AZHBR, për vitet 2018 –mars 2022, janë kontraktuar 27 subjekte, nga të cilat vetëm 17 prej tyre janë të “Programit të 100 fshatrave”. – Në agroturizëm: që kanë të bëjnë me ndërtime, rikonstruksion, mobilim, makineri dhe pajisje për agroturizmin (ndërtesa të vjetra, kampingje, objekte rekreative, pajisje sportive, makineri përpunuese në fermë, etj.). Në turizëm rural: që ka të bëjë me investime për ndërtim, rikonstruksion dhe mobilim për bujtina 6-10 dhoma.
Raporti i KLSH pasqyron me grafikë nivelin e investimeve sipas viteve.
KLSh ka gjetur gjatë auditimit se “Programi i integuar për 100 fshatrat”, nuk ka një rezultat në shkallën e përmbushjes së indikatorëve/impaktit që synon të arrijë ky program siç janë rritja e numrit të vendeve të punës; numrit të të punësuarve gra/vajza dhe të rinj; numrit te bizneseve start-up, të bujtinave; të inkubatorëve për produkte tradicionale; numrit të sipërmarrjeve të reja të agroturizmit; numrit të sipërmarrjeve prodhuese të produkteve tradicionale; si dhe numrit të projekteve të realizuara të përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Do të publikojmë disa nga rastet në terren që ka inspektuar grupi i auditimit në disa prej fshatrave të këtij program:
K. N. M., Katund i Vjetër, Lezhë, Rubik, Mirditë, “Mbështetje për investim në agroturizëm kundrejt planit të biznesit 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 milion lekë”, sipas kontratës nr. 2802/7, datë 08.10.2018, me masë mbështetje financiare 50% të vlerës së investimit të pranuar 5,571,142 lekë. Për të cilin nga monitorimi ka rezultuar:
· Investimi nuk ka dhënë efekte te ecuria e të ardhurave. Referuar vitit të aplikimit (2018) nuk ka të ardhura. Në vitin 2019 të ardhurat janë në vlerën 657 mijë lekë, ndërsa në vitin 2020 të ardhurat janë në vlerën 223 mijë lekë, sipas vërtetimit për xhiron e tre viteve të fundit.
· Investimi i financuar nuk ka ndikuar në objektin social në drejtim të rritjes së numrit të fuqisë punëtore. Në momentin e aplikimit ka parashikuar 8 punonjës. Në momentin e kontrollit ex post ka tre punonjës të punësuar dhe të siguruar.
· Objektivat e parashikuar në biznes plan nuk janë përmbushur pasi subjekti nuk ka rritje në të ardhura si dhe në drejtim të rritjes së numrit të të punësuarve.
F. S. Gj.i, Gjepalaj, Njësia Administrativë (NJA) Gjepalaj, Gjepalaj e poshtme, Durrës, masa 9 “Mbështetje për investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit 50% e vlerës totale e faturave tatimore, por jo më shumë se 10 milion lekë.”, sipas kontratës nr.1331/8, datë 10.11.2021, me masë mbështetje financiare 50% të vlerës së investimit të pranuar në shumën 4,514,755 lekë.
H. Xh., agroturizëm “U.”, NJA Kurvelesh, fshati Rexhë, Bashkia Tepelenë, emri I markës “Rexhina”, masa e mbështetjes 45 “Mbështetje për investim në agroturizëm kundrejt planit të biznesit 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 milion lekë”, kontrata nr. 2812/8, datë 29.10.2018, me masë mbështetje financiare 50% të vlerës së investimit të pranuar në shumën 7,014,609.64 lekë. Për të cilin nga monitorimi ka rezultuar:
Sh. H., Durrës, Manzë, Radë, masa e mbështetjes 45. Kontrata nr.2815/7, date 08.10.2018, vlera e investimit të pranuar 20,611,343, financimi 50% por ji më shumë se 10 milion lekë. Për të cilin nga monitorimi ka rezultuar: Investimi i financuar nuk ka dhënë efekte në të ardhurat e subjektit. Në vitin 2018, vit i investimit, të ardhurat ishin 53,546 mijë lekë. Në vitin 2019 të ardhurat ishin 53,546 mijë lekë. Ndërsa në vitin 2020 të ardhurat ishin 22,842 mijë lekë (duke konsideruar edhe faktin që ishte viti i pandemisë dhe aktivitetet e turizmit ishin përgjithësisht të pezulluara). · Investimi i financuar ka ndikuar në drejtim të rritjes së fuqisë punëtore. Në periudhën e aplikimit (në vitin 2018) ka patur të punësuar 17 punonjës. Në momentin e kontrollit expost ka 21 punonjës të siguruar. · Objektivat e parashikuara në planin e biznesit janë realizuar pjesërisht pasi nuk ka rritje në të ardhurat, por ka rritje në numrin e punonjësve të siguruar”, theksohet në raportin e KLSH-së nëntor 2022.