Hapet dega e partisë “Mundësia” në Korçë, Shehaj: Ndryshimi duhet të fillojë nga diku! Mbështetja juaj po shtohet çdo ditë e më shumë

Partia Mundësia e Agron Shehajt ka hapur sot degën e saj në Korçë, ku të pranishëm ishin dhjetëra qytetarë dhe mbështetës të kësaj partie të re, të cilët sipas Shehajt po shtohen çdo ditë e më shumë.

Në fjalën e tij, Shehaj e vuri theksin te besimi që duhet të kenë njerëzit te kjo parti dhe te opozita që kjo parti do të bëjë në Parlament, sidomos nëse do të ketë disa deputetë që do të denoncojnë dhe flasin me fakte.

Për Shehajn, fitimi i zgjedhjeve të vitit 2025 është pothuajse mision i pamundur, por beson se në zgjedhjet e tjera (2029) do të arrijë që t’i japë Shqipërisë një qeveri të pa korruptuar.

“Shumë prej jush mund të thonë, sa vota keni ju që të bëni ndryshimin zgjedhjet e ardhshme. Unë do doja shumë, por vështirë se ne fitojmë zgjedhjet e ardhshme. Por nëse ne duam të bëjmë ndryshimin, duhet ta fillojmë nga diku. Në Dhjetor hodhëm idenë për të krijuar partinë Mundësia. Pas më pak se 9 muajsh, jemi këtu në Korçë dhe mbështetja është shumë më e madhe. Zgjedhjet e ardhshme, mbështetja do të jetë edhe shumë më e madhe, ndërsa në zgjedhjet e tjera, mund të jemi në pushtet. Sot unë jam i vetëm në Parlament dhe shumë veta më ndalojnë dhe më thonë se kështu duhet të funksionojë opozita. Të denoncojë, të flasë me fakte. Imagjinoni se pas zgjedhjeve të ardhshme do jemi 10 veta në Parlament. Këtë fitojmë zgjedhjet e ardhshme, pastaj ato që do vijnë më vonë, jam i bindur se do t’i japim Shqipërisë një qeveri të pa korruptuar. Kjo është një maratonë, është një punë që do këmbëngulje”, tha Shehaj ndër të tjera.