“Hakmarrja” e Berishës, largon Salianjin si drejtues politik i Njësisë 6

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka larguar Ervin Salianjin si drejtues politik të Njësisë 6 në Tiranë.

Ky vendim vjen 4 ditë para protestës kombëtare që PD do të organizojë, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama dhe zv.kryeministres, Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe.

Vendimi për të larguar Salianjin si drejtues politik, vjen pas disa debateve mes tij, Berishës dhe Flamur Nokës në mbledhjen e Kryesisë. Debatet erdhën pas disa takimeve që Salianji ka zhvilluar me strukturat e PD në disa qytete të vendit.

Salianji u kritikua se po bën një lëvizje brenda PD-së që i shërben Edi Ramës. Madje një ditë më parë, Berisha tha se Salianji shkeli vijën e kuqe për takimin me demokratët në Elbasan.

Berisha tha se kishte marrë informacione që pohojnë se takimi i Salianjit në Elbasan, ishte organizuar nga Suel Çela.

“Vija e kuqe e Sali Berishës është ndarëse bashkëpunimi me krimin.

Që një anëtar i korruptuar i kryesisë dhe anëtar i këshillit kombëtar të organizojë me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreut të njërit prej karteleve të fuqishme në Evropë, takim, kjo është e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë.

Në këtë kontekst ai që ndërmerr një veprim të tillë ai tejkalon vijën e kuqe dhe është përgjegjës për veten e tij. Sa i takon takimit që thoni, kemi patur informacione, jo një por disa, të cilat pohojnë se Suel Çela ka qenë organizator në hije i takimit. Përshëndes strukturat e PD Elbasan që e bojkotuan me neveri një takim të tillë”– u shpreh Berisha.