Guterres: OKB rrezikon kolaps financiar të afërt

Kreu i Kombeve të Bashkuara u ka thënë shteteve se organizata rrezikon një “kolaps financiar të afërt”, duke përmendur kuotat e papaguara dhe një rregull buxhetor që e detyron organizatën globale të kthejë fondet e papërdorura, sipas një letre të parë nga Reuters të premten.

“Krizë po thellohet, duke kërcënuar zbatimin e programeve dhe duke rrezikuar një kolaps financiar. Dhe situata do të përkeqësohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt,” shkroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një letër drejtuar ambasadorëve, të datës 28 janar.

OKB-ja po përballet me një krizë të thellë financiare, pasi kontribuuesi më i madh i organizatës – Shtetet e Bashkuara – ka ulur ndjeshëm financimin vullnetar për agjencitë e OKB-së dhe ka refuzuar të bëjë pagesat e detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe atë të misioneve paqeruajtëse.

Në letër, Guterres tha se “vendimet për të mos përmbushur kontributet e vlerësuara, të cilat financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt të miratuar, tashmë janë shpallur zyrtarisht”.

Nuk ishte menjëherë e qartë se cilit apo cilëve shtete po u referohej ai, ndërsa një zëdhënës i OKB-së nuk ishte menjëherë i disponueshëm për koment.

“Ose të gjitha shtetet anëtare i përmbushin detyrimet e tyre duke paguar plotësisht dhe në kohë – ose shtetet anëtare duhet të rishikojnë në mënyrë rrënjësore rregullat tona financiare për të parandaluar një kolaps financiar të afërt,” tha ai, duke paralajmëruar se fondet mund të mbarojnë deri në korrik.