Greqia ka shpallur tre ditë zie pas mbytjes së anijes me rreth 400 emigrantë. Deri tani janë shpëtuar 79 prej tyre ndërsa janë gjetur 104 trupa të mbytur. Dëshmi rrëqethëse vijnë nga të mbijetuarit të cilët kanë thënë se në pjesën e fundit të anijes ndodhesh rreth 100 fëmijë. Këto deklarata të mbijetuarit i kanë bërë tek mjekët në spitalin e Kalamatës, ku ata po kurohen.
Mjeku kardiolog, drejtor i Klinikës së Kardiologjisë të Spitalit të Kalamatës tha se deri më tani po trajtohen 30 emigrantë dhe gjendja e tyre është relativisht e mirë.
Ai i cilësoi si tronditëse mesazhet që merr në celularin e tij nga të afërmit që po kërkojnë në bordin e anijes së peshkimit. Disa i dërgojnë foto dhe i japin informacione duke e pyetur nëse e ka parë të afërmin që kërkojnë. Në të njëjtën kohë, ai merr telefonata të vazhdueshme nga numra të panjohur që telefonojnë nga vende si Siria dhe Pakistani, nga njerëz që shqetësohen për fatin e tyre.
Ndërkohë, një operacion i madh kërkimi dhe shpëtimi është duke u zhvilluar për emigratët që rezultojnë të zhdukur, pas përmbytjes së anijes në afërsi të Pylos.Kryeministri grek në detyrë Ioannis Sarmas shpalli tri ditë zie kombëtare nga sot e mërkurë, 14 qershor 2023, ora 21:00 deri në mesnatën e së premtes.