Greqia ndalon TikTok, Snapchat, Instagram dhe Facebook për fëmijët nën 15 vjeç, masa hyn në fuqi në 1 Janar 2027

Greqia do të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Lajmi është njoftuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili sqaroi se vendimi do të hyjë në fuqi gjatë verës së 2026-ës, ndërsa zbatimi i saj do të nisë nga 1 Janari i 2027-ës.

Sipas specifikimit të masave, ndalimi ka të bëjë me platformat Instagram, Tiktok, Facebook dhe Snapchat, ndërsa projektligji nuk përfshin platformat e mesazheve.

“Nuk po e ndërpresim internetin, po krijojmë një kornizë për mbrojtjen e fëmijëve. Procesi nuk ishte i lehtë, sepse na u desh të përfshiheshin evropianët. Projektligji është shumë i thjeshtë. Përfshin të gjithë fëmijët e lindur që nga 1/1/2012”, u shpreh Ministri i Qeverisjes Digjitale Dimitris Papastergiou.

“Nuk do të funksionojë si Australia, e cila ia kalon përgjegjësinë platformave, por ne sugjerojmë që të përdorim mekanizma evropianë të verifikimit të moshës, siç është Kids Wallet. Ne jemi të parët që e përdorim dhe propozojmë që të bëhet i detyrueshëm. Këta mekanizma janë të besueshëm”, shtoi ministri grek.

Sipas të dhënave të paraqitura, përdorimi i internetit dhe mediave sociale nga të miturit shoqërohet me rreziqe në rritje. Media greke Protothema shkruan se 1 në 4 adoleshentë deklaron se ka ndjerë shqetësim kur informacioni i tyre personal është ndarë pa pëlqimin e tyre, ndërsa 17% e fëmijëve të moshës 11-15 vjeç kanë qenë viktimë e ngacmimit online.

Në të njëjtën kohë, 23% e 15-vjeçarëve raportojnë se ndihen nervozë ose të pasigurt pa qasje në telefonin e tyre celular, ndërsa 20% neglizhojnë aktivitete të rëndësishme, të tilla si sportet dhe hobi, për shkak të përdorimit të mediave sociale.