Greqia merr vendimin: Rimbursim për një muaj të qirasë për qiramarrësit, 250 euro çdo vit për pensionistët

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi masat për të mbështetur pensionistët dhe qiramarrësit në banesat me qira, pas publikimit të të dhënave mbi performancën fiskale të Greqisë nga ELSTAT dhe Eurostat.

Sipas shifrave të shpallura, Greqia ka tejkaluar objektivat për një suficit rekord prej 11.4 miliardë euro (4.8% e PBB-së) në 2024.

Masat e paralajmëruara nga kryeministri llogariten të kushtojnë afërsisht 1 miliard euro dhe do të synojnë mbështetjen e pensionistëve, por edhe adresimin e çështjes kritike të banesave për qiramarrësit.

“Pensionistët janë një nga grupet sociale më të cenueshme dhe mbështetja e tyre është jetike. Nga paketa totale e masave, 250 milionë euro do të ndahen për mbështetjen e tyre.

Strehimi është një tjetër çështje kritike që kërkon vëmendje të menjëhershme. Rritja e qirave dhe mungesa e banesave të përballueshme kanë krijuar probleme serioze për shumë qytetarë. Një pjesë e konsiderueshme e paketës së mbështetjes do të drejtohet për mbështetjen e qiramarrësve, me synimin për të ulur presionin financiar që ata përballen. Masat si subvencionimi i qirasë dhe ndërtimi i banesave të reja sociale do të kontribuojnë në adresimin e kësaj krize”, shkruajnë mediat e huaja.

“E di sa e vështirë është për bashkëqytetarët tanë që marrin shtëpi me qira. Prandaj vendosëm që çdo vit dhe konkretisht në nëntor, shteti t’u rimbursojë qiranë e plotë mujore qiramarrësve, për të lehtësuar shpenzimet e tyre. Ndërsa sigurisht që të gjitha programet përkatëse do të vazhdojnë”, tha Mitsotakis.

Masa e dytë synon rreth 1.5 milionë pensionistë me të ardhura të ulëta, të moshuar të pasiguruar dhe persona me aftësi të kufizuara, kategori të cilat, duke nisur nga ky vit, do të mbështeten në mënyrë të përhershme me 250 euro neto, krahas çdo të ardhure tjetër që kanë. Kjo shumë do të paguhet çdo vit në fund të Nëntorit.

Së fundi, vendimi i tretë i qeverisë ka të bëjë me rritjen me 500 milionë euro në vit të buxhetit të Programit të Investimeve Publike, me synim përshpejtimin e punëve publike, si dhe veprimeve sociale në të gjithë vendin, por edhe në mes të paqëndrueshmërisë ndërkombëtare, rritjen e investimeve për të vijuar krijimin e vendeve të reja të punës.