Greqia bllokoi letrën e 27 vendeve për integrimin në BE, Rama e quan “joserioze” në televizionin francez: Nuk besoj se do qëndrojë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizionin francez France 24, ku është pyetur për çështjen Beleri dhe marrëveshjen me Melonin për emigrantët. Lidhur me “bllokadën” që Greqia po i bën Shqipërisë në BE, për shkak të moslirimit të Belerit dhe moslejimit të tij për t’u betuar si kryebashkiak, Rama përsëriti se çështja i përket drejtësisë. Kryeministri u shpreh se bllokimi për këtë çështje nuk do të qëndrojë pasi nuk do të ishte serioze.

Rama tha se kjo çështje nuk është diskutim për minoritetet, pasi edhe kundërshtari i Belerit ishte shqiptar me origjinë greke.

Pjesë nga intervista:

– Z. Rama Shqipëria juaj ka  probleme për t’u anëtarësuar në Klubin evropian.  Greqia po bllokon  letrën e  27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve. Në maj të këtij viti, kandidati për Bashkinë e Himarës, shqiptar me origjinë greke, Fredi Beleri, që kandidonte për opozitën, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve i dyshuar për blerje votash. Por akuzoheni ju se po e pengoni të zgjidhet kryetar bashkie për të mbajtur nën kontroll lejet në këtë zonë bregdetare në zhvillim e sipër. Si përgjigjeni ju?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e  drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje.

-Megjithatë në vendin tuaj ndodhet edhe minoriteti grek afërsisht 1% të popullsisë. A shpresoni të pajtoheni me Greqinë?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!