8 marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas, një ditë që feston arritjet dhe kontributet e grave në të gjitha fushat e jetës dhe angazhohet për barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe eliminimin e dhunës ndaj grave. Ky përvjetor ka origjinë nga protestat e grave për kushte më të mira pune dhe të drejta më të barabarta, që kanë filluar në shekullin e 20-të.
Një ditë po ashtu për të shprehur mirënjohje për gratë, për nënat, gjyshet, motrat, që luftojnë në një shoqëri që shpesh herë nuk i vlerëson sa duhet.
8 Marsi i 2025-ës është një ditë e bukur edhe në Shqipëri, ku gratë bëhen bashkë për të festuar ditën e tyre, dhe duke lënë në muret e shtëpisë të gjitha problemet që mund të kenë.
Jo rrallë herë, gratë për fatin e keq kanë qenë në titujt e gazetave dhe titrat e mediave, për shkak të dhunës që burrat ushtrojnë, ndonjëhere edhe vetë fëmijët, që një nënë i ka rritur me mund e sakrificë.
Megjithatë gratë sot po luftojnë më shumë se kurrë për të drejtat e tyre. Ato janë bërë të forta dhe kanë denoncuar dhunën, kanë pranuar divorcin, janë më të pavarura ekonomikisht.
Edhe pse në Shqipëri, hendeku gjinor vijon të jetë i dukshëm, pasi burrat paguhen më shumë, pavarësisht se ato janë më të arsimuara.
Por gratë janë të angazhuara edhe në shtëpi, me kujdesin ndaj fëmijëve apo mbarëvajtjen e shtëpisë. Një punë kjo e dyfishtë, por e papaguar.
Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se gratë duhet të dalin të protestojnë më 8 Mars, të kërkojnë të drejtat e tyre, por ato e bëjnë përditë. Një luftë që mund te duket e padukshme, por që ka ende shumë punë përpara. Ndërsa ligjet që mbrojnë barazinë gjinore janë miratuar, në praktikë ka ende diferenca të mëdha mes burrave dhe grave, veçanërisht në fushat e punës, politikës dhe aksesit në arsim.
Por një gjë është e sigurtë, gratë janë të forta!