Granti 80 milionë euro nga BE, qeveria asnjë plan për shpërndarjen, Rama vijon “kërcënimet” për rritjen e çmimit të energjisë

Kryeministri Edi Rama pak javë më parë paralajmëroi nga Kuvendi rritjen e çmimit të energjisë, teksa theksoi se deri më tani ishte qeveria që po subvenciononte një pjesë të madhe të faturave të familjeve dhe bizneseve të vogla.

“Ka rënë çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar, por nuk është kthyer aty ku ishte. Qeveria ka pasur dhe ka vullnetin e plotë që të paguaj. Me ardhjen verës konsumi do të rritet dhe do të duhet të rihapim diskutimin e fashës”, u shpreh Rama ndër të tjera.

Por kryeministri harroi një detaj me rëndësi. Në Mars qeveria shqiptare miratoi marrëveshjet financiare me Komisionin Europian, ku këta të fundit do të jepnin një grant prej 162.6 milionë euro. Gjysma e këtij granti, 80 milionë euro do të jetë për subvencionimin për çmimin e energjisë për 1 milionë familje dhe 168 mijë biznese në Shqipëri.

Programi i vitit 2023 (IPA23) do të sigurojë 80 milionë euro të tjera për të mbështetur shqiptarët me pasojat socio-ekonomike të krizës energjetike. Fondet nga të dy programet janë grante që nuk kanë nevojë të shlyhen nga Shqipëria.

Programi IPA23 do të mbështesë shqiptarët me pasojat socio-ekonomike të krizës energjetike duke financuar reagimin e Qeverisë së Shqipërisë ndaj krizës energjetike, e cila parashikon:

-Subvencionet e faturave të energjisë për mbi 1 milion familje shqiptare;

-Mbështetje për 168,000 sipërmarrje të vogla dhe të mesme në Shqipëri për të kompensuar çmimet e larta të energjisë”, thuhet ndër të tjera në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe BE.

Pikërisht për këtë grant nga Bashkimi Europian nuk ka asnjë detaj të dhënë nga qeveria se si do të shpërndahet, ndërkohë që kryeministri vijon “kërcënimet me rritjen e çmimit të energjisë. Familjet dhe bizneset e vogla dhe të mesme janë ende në pritje të dinë nëse do të jenë të përfshira në subvencionimin eçmimit të energjisë elektrike.