Gramshi “merr frymë” pas betejës me flakët, por vatrat mbeten ende aktive

Është qetësuar situata në Gramsh ku prej tre ditësh disa fshatra kanë luftuar me flakët ndërsa humbi jetën edhe një 80 vjeçar.

Ulja e temperaturave, ulja e intensitetit të erës, por dhe puna e qindra ekipeve të terrenit kanë bërë që sot situata të jetë më e qetë. Megjithatë raportohet për disa vatra te reja zjarri.

Mësohet se banorët e zonave që kanë përjetuar momente të vështira përgjatë këtyre tee ditëve kanë filluar të kthehen në banesat e tyre.

Për të shmangur rrezikun e ndonjë epidemie, autoritetet kanë filluar që dje procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura, ndërsa shërbimi veterinar është në terren, duke hartuar procesverbalet përkatëse për dokumentimin e dëmeve.

Bilanci paraprak tregon se rreth 10 fshatra janë prekur nga flakët në territorin e Gramshit, ndërsa në Bletëz dhe Shëmbërdhenj nuk ka mbetur asgjë pas.

Autoritetet lokale dhe qendrore apeluan për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga banorët, ndërsa operacionet për shuarjen e zjarreve do të vijojnë gjatë gjithë ditës.