Grabitet me armë banka “OTP” në Tiranë, autori merr lekët dhe largohet me skuter

Një banke e nivelit të dytë  ka rënë pre e grabitjes mesditën e kësaj të martë në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, një person i maskuar ka hyrë në ambientet e bankës “OTP Albania”, pranë stadiumit Dinamo dhe në kërcënimin e një sendi në dukje armë, ka marrë një shumë parash.

Mësohet se autori ende i paidentifikuar, ka qenë i veshur  me të zeza dhe me një çantë të zezë, kur është futur brenda në bankë dhe ka marrë një shumë parash. Më pas ai është larguar me një skuter.

Deri tani nuk dihet ende se sa para ai ka grabitur ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij.

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 12:26, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke dhe, dyshohet se në kërcënimin e një sendi në dukje armë, ka marrë një shumë parash.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, për identifikimin dhe kapjen e autorit.  

Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.