Gonzato takim me Gjiknurin dhe Bylykbashin: Proceset zgjedhore të besueshme, prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato është takuar me Oerd Bylykbashin dhe Damian Gjiknuri, bashkëkryetar te Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Gjatë takimit, Gonzato e vuri theksin se proceset zgjedhore të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mbeten një prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Po ashtu nënvizoi rëndësinë e reformës zgjedhore për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore.

“Proceset zgjedhore të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mbeten një prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Dje u takova me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, për të diskutuar punën e komisionit në javët në vijim.

Nënvizova rëndësinë e reformës zgjedhore për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Një reformë e gjerë e rregullave zgjedhore, që përfshin edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, është thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme.” Sivio Gonzato, Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.