Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato ka komentuar hetimet për zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK lidhur me tunelin e Llogarasë.
Gjatë një interviste për “Top Story” Gonzato shpjegoi se BE respekton një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim.
Sipas tij prezumimi i pafajësisë është një nga parimet kryesore që rregullon gjyqësorin, duke shtuar “nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore”.
“E kuptoj çfarë doni të thoni. Ne kemi një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim. Sepse një nga parimet që rregullon gjyqësorin është prezumimi i pafajësisë. Pra, nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore. Por, në përgjithësi, mendoj se është e qartë se, siç e thotë raporti, parlamenti nuk ushtron mjaftueshëm kontroll mbi veprimet e ekzekutivit. Dhe për t’u kthyer te ajo që thatë në lidhje me kontrollin edhe të gjyqësorit, nuk do ta quaja atë kontroll sepse gjyqësori, siç thashë, është i pavarur. Por autoritetet gjyqësore, SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli Gjyqësor, ata raportojnë. E dini, ata raportojnë rregullisht në parlament. Dhe mendoj se është e rëndësishme që këto debate të zhvillohen, që anëtarët e parlamentit t’i pyesin këto institucione, a po bëni mjaftueshëm për qytetarët? Por që ata gjithashtu t’i dëgjojnë kërkesat e tyre, sepse këto institucione ndonjëherë kërkojnë më shumë mjete, kërkojnë më shumë struktura, për më shumë, e dini, për disa rregullime të veçanta të ligjeve që rregullojnë funksionimin e tyre, etj.
Pra, është një dialog që duhet të zhvillohet dhe është shumë e rëndësishme që të zhvillohet. Pra, nuk më pëlqen termi monitorim sepse nuk mendoj se parlamenti duhet të monitorojë institucionet e pavarura, por duhet të ketë një dialog midis të dyjave”- u shpreh Gonzato.
Po ashtu ambasadori i BE, u pyet edhe në lidhje me deklaratat e bëra nga kreu i PD, Sali Berisha në drejtim të tij. Gonzato tha se deklaratat në nivel personal janë të pakëndshme, por shtoi se nuk e prekin.
“Dëgjoni, e di që është folur shumë për këtë. Mendoj se është koha të kthejmë faqen, për të qenë i sinqertë. Por më lejoni të them vetëm një gjë. Në nivel personal, deklaratat që janë bërë në atë rast, por edhe në raste të tjera në lidhje me jetën time private, do t’i përkufizoja thjesht si të pakëndshme, për të qenë i sinqertë. Dhe ato nuk më prekin edhe aq shumë. E dini, unë jam i rritur, siç thatë edhe ju, një burrë i moshuar. Unë i di zgjedhjet e mia, i kam bërë dhe u qëndroj besnik. Nuk kam pse të justifikoj asgjë. Ajo që më shqetësoi në atë rast ishte nënkuptimi se për shkak të këtyre zgjedhjeve personale, këto zgjedhje personale po më turbullonin gjykimin dhe se po bëja gjëra si ambasador i BE-së për shkak të historisë sime personale.
Kjo është diçka që nuk mund ta pranoja, sepse besoj se po e bëj punën time në mënyrë profesionale, me integritet. Dhe kështu isha vërtet i lumtur që shefja ime, Komisionerja Kos, ndërhyri dhe tha se kishte besim të plotë tek unë dhe kjo është e gjitha që më duhej. Nuk kam nevojë për asgjë tjetër. Nuk kam nevojë për ndonjë komision që të thotë nëse kjo ishte e drejtë apo e gabuar”- nënvizoi Gonzato.