Gonzato: Financimi i partive politike, parakusht për procesin e anëtarësimit në BE

“Financimi i partive politike është parakusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”. Kështu u shpreh mes të tjerash ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato në një tryezë konsultimi të Komisionit të Reformës Zgjedhore me BE-në dhe OSBE-në. 

Sipas Gonzatos, Reforma Zgjedhore sidomos sa i përket financimit të partive në fushata mbetet përparësi në kuadër të kornizës së BE-së dhe patjetër që lidhet ngushtë me themeloret.

Sipas tij, kur burimet e financimit janë të paqarta, apo mbikëqyrja është e dobët, atëherë besimi te këto institucione demokratike është pashmangshmërisht i minuar.

“Kur burimet e financimit janë të paqarta apo mbikëqyrja është e dobët, besimi te këto institucionet demokratike është pashmangshmërisht i minuar. Financimi është parakusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Reforma Zgjedhore sidomos sa i përket financimit të partive në fushata mbetet përparësi në kuadër të kornizës së BE-së dhe patjetër që lidhet ngushtë me themeloret”, tha Gonzato.

Ndër të tjera, ambasadori i BE-së tha se vija dalluese mes shtetit dhe partisë duhet të jetë më e theksuar.

“Përkufizime të qarta për burime shtetërore, e po kështu edhe kontributet në natyrë si dhe transparencë në lidhje me entet që lidhen dhe varen ekonomikisht nga vendimet shtetërore janë të nevojshme për të mbrojtur një konkurrencë të ndershme politike”, tha ai.