Goditet organizata shqiptare më e madhe e drogës në perëndim, arrestohen 35 persona, emrat sekret

Eurojust dhe Europol njoftuan zyrtarisht përfundimin e një aksioni të madh kundër drogës duke shkatërruar grupin më të madh të drejtuar nga shqiptarë në Europën Perëndimore.

Sipas njoftimit, në aksion morën pjesë autoritetet gjyqësore dhe ligjzbatuese në Gjermani, Itali dhe Holandë, me më shumë se 600 policë dhe u arrestuan 35 shtetas, kryesisht shqiptarë. në çmontimin e një rrjeti trafikantësh droge të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.

“Rrjeti kriminal dyshohet se është përgjegjës për trafikun në shkallë të gjerë të kokainës dhe kanabisit nga Amerika e Jugut në Evropë dhe shpërndarjen e saj të mëtejshme në të gjithë Bashkimin Evropian. Ata njihen edhe për përdorimin e dhunës, duke përfshirë episode torture dhe rrëmbimi me qëllim zhvatjeje.

Autorët kanë mundur të shfrytëzojnë burime të konsiderueshme financiare që dyshohet se janë marrë nga aktivitete të mëparshme të trafikut të drogës. Ata kishin disa baza logjistike ku ruheshin lëndët narkotike dhe të ardhurat e veprës penale dhe ku mund të takoheshin bashkëpunëtorët. Ata posedonin gjithashtu një flotë të gjerë automjetesh të pajisura me ndarje të sofistikuara të fshehura, telefona celularë të pajisur me aplikacione të koduara për mesazhe dhe shërbime të tjera.

Sipas hetimeve, rrjeti kriminal ka kryer të paktën 36 importe në total me 1 ton kokainë dhe 1 ton hashash në periudhën mars 2020-qershor 2021. Këto substanca do të kishin gjeneruar më shumë se 1 miliardë euro në tregun e shpërndarjes. Gjatë hetimit u sekuestruan edhe mbi 1 milionë euro cash” thuhet në njoftimin zyrtar.

Emrat e të arrestuarve po mbahen ende sekret nga Europol dhe pritet të njoftohen në ditët në vijim.