Goditet me thikë në qafë efektivi që u fut të shuante sherrin, policia arreston autorin pas 8 orësh ndjekje

Redin Çaushaj, 28 vjeç, me detyrë me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë është plagosur me thikë në qafë mbrëmjen e djeshme pasi është futur për të shuar një sherr mes dy personave.

Ai është nisur me urgjencë drejt spitalit, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, policia ka arritur të arrestojë pas 8 orësh ndjekje autorin Theodhori Mërkuri, 60 vjeç.

Gjithashtu në pranga ka rënë dhe një 39 vjeçar, me ininciale A.P, pasi akuzohet për “Moskallëzim krimi”.

Njoftimi i Policisë:

lagosi rëndë me mjet prerës, punonjësin e Policisë, i cili ishte jashtë shërbimit, por ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti, pas 8 orësh ndjekje nga Policia, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 60-vjeçari.      

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Pilur, ku mbeti i plagosur rëndë me mjet prerës një punonjës policie 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, shërbimet e Komisariatit  të Policisë Himarë, shërbimet operacionale të DVP Vlorë dhe grupe të FNSH-së, kanë organizuar punën për kapjen e autorit.  

Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga 60-vjeçarin Th. M., i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur.  

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, kanë arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin Th. M., për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë. 

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ngjarja/Rreth orës 23:00 të datës 15.08.2023, te kthesa e fshatit Pilur, disa shtetas kanë qenë duke u konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë, shtetasi R. C., 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, jashtë orarit të shërbimit, ka qenë duke kaluar në rrugë dhe ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.           

 Gjatë përpjekjes së punonjësit të Policisë, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, shtetasi Th. M. e ka goditur me mjet prerës thikë punonjësin e Policisë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.