Goditet grupi i kokainës në Belgjikë, mes të arrestuarve edhe dy shqiptarë

Policia belge ka goditur një bandë droge që përpunonte kokainë në qytetin e Hasselt, në lindje të Brukselit. 11 persona kanë rënë në prangat e policisë, mes të cilëve katër belgë, pesë kolumbianë dhe dy shqiptarë.

Mediat belge raportojnë se në laboratorin e zbuluar të grupit kriminal, bëhej ndarja kimike e kokainës nga ambalazhet e kartonit. Kjo mënyrë ishte zgjedhur nga trafikantët, për të kaluar lëndën narkotike, pa u vërejtur nga autoritetet.

Bëhet me dije se në laborator, u gjetën rreth 8 kilogramë kokainë, e nxjerrë kimikisht nga ambalazhet e kartonit, si dhe sasi të mëdha paketimesh që dyshohet se përmbajnë kokainën e papërpunuar.

Policia sekuestroi gjithashtu edhe 20 mijë euro, katër makina dhe sende të tjera me vlerë.