Gjysmën e qeverisë në burg? Rama: Nuk është arsye për t’u turpëruar! Altin Dumanin s’e njihte njeri, ne ia dhamë shpatën

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me gratë dhe vajzat në Gjirokastër, ku është ndalur sërish te Reforma në Drejtësi. Teksa mori meritat e Reformës në Drejtësi, ai u ndal te kreu i SPAK, Altin Dumani për të cilin tha se PS e bëri të njohur duke i dhënë shpatën e drejtësisë. Sipas Ramës, edhe pse punonte prej vitesh në Prokurori, Altin Dumani nuk kishte marrë në pyetje asnjë person me pushtet.

Ai u ndal për të folur edhe për arrestimet në radhët e socialistëve, duke thënë se kjo nuk është një arsye për t’u ndjerë i turpëruar.

Si ka mundësi një popull ordiner t’i japi mandatin e katërt një njeriu që ka gjysmën e njerëzve të tij në burg, e do ia japim votën atij. Shiko se çfarë mendojnë?!

Unë po flisja me pensionistë, se ata janë analistët e vërtetë, atyre u besoj unë, ata dinë më shumë se analistët e studiove. Unë për vete në çdo panel emisioni do kisha analist edhe një pensionist. Këta të tjerët nuk janë analistë, po fare, s’kanë lidhje me analistin ata.

Kush ia kishte dëgjuar emrin Altin Dumanit? Ai është profesionist i vërtetë, jurist i vërtetë, meriton të gjithë respektin dhe mirënjohjen tonë. Por Altin Dumani nuk ishte në hënë, ishte këtu, ishte në Tiranë, në Shqipëri dhe ishte prokuror për vite. Si ka mundësi që askush nuk e dinte se kishte një njeri me emrin Altin Dumani, prokuror. Si ka mundësi që një njeri prokuror dikur nuk thërriste një njeri me pushtet dhe t’i thoshte hajde këtu të të marr një çik në pyetje? Çfarë ka ndodhur që tani ai i thërret dhe i pyet një nga një? Si është kjo punë, çfarë ndodhi? Sepse që nga 1912 nuk kishte ndodhur që një zyrtar i lartë të shkonte të jepte llogari në Prokurori, kishte ndodhur me pushkatime në diktaturë, por jo siç ndodhi pas 1990, kur i pari i vendit burgosi kryetarin e opozitës politikisht, për turpin tonë ndodhi kjo.

Por edhe para 14 vitesh a 15 vitesh kur i pari vendit bënte sehir në dritaren e zyrës së tij kur vriteshin njerëzit protestues në bulevard. Dhe kur drejtuesja e Prokurorisë i çoi fletët e arrestit për 3 drejtuesit e policisë për t’i arrestuar dhe marrë në pyetje, ai i tha “lavire bulevardi’. Nuk lejoi që të merreshin në pyetje, por çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur ajo që vendi ka ndryshuar, situata ka ndryshuar, ndodhi ajo që ne, partia Socialiste, e jo Stamo Dumua, ju e njihni Stamo Dumon, ia lamë punët e drejtësisë, drejtësisë. Ia dorëzuam shpatën e drejtësisë Prokurorisë, e kam në zyrë shpatën unë, e kisha në zyrë e ua dhashë, atë shpatë që të tjerët gjithashtu e kishin dhe e mbajtën për vete. Ju e dini mirë, e kam thënë edhe në krye të herës na duhet drejtësi e çliruar nga politika dhe jo për politikën, të bënte punën e saj, një drejtësi që të godiste majtas dhe djathtas. Majtas për kë e kisha unë? Jo vetëm djathtas, por edhe majtas, qeverinë tonë. Kurse këta çyrykë tani na thonë se kemi gjysmat e njerëzve në burg, edhe pse unë kam pasur 60 ministra, por edhe sikur të jenë gjysma, është arsye për t’u turpëruar? Jo, ndaj e thosha që më jepni timonin se po të kem timonin do bëjmë drejtësinë dhe ja ku jemi” tha Rama.