Gjyqtarja e Kushtetueses, Marsida Xhaferllari ka bërë sërish kërkesë për t’u dorëhequr nga gjykimi sa i takon masës së sigurisë ndaj kreut të PD, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi lidhur me dosjen “Partizani”.
Por kërkesa e saj e depozituar një ditë më parë është rrëzuar për herë të dytë nga Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë se përmes një letre drejtuar kryetares në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, Xhaferllari theksoi se përmes pretendimeve të Berishës dhe Malltezit është vënë në diskutim paanshmëria e saj. Xhaferllari shtonte gjithashtu se me rëndësi është prevalimi i reputacionit të Gjykatës Kushtetuese, përtej krenarisë së saj profesionale.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar disa herë përjashtimin nga çështja e tij dhe të Malltezit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari. Sipas tij, Xhaferllari nuk duhet të jetë pjesë e çështjes sepse është partnerja e Enkelejd Alibeaj, kundërshtar i tij politik.