Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë kërkuar marrjen e provave të seancës gjyqësore të zhvilluar dje në Gjykatën e Posaçme.
Ata kanë kërkuar që t’u vihen në dispozicion audio e seancës dhe procesverbalet, për të treguar njëanshmërinë e gjyqtares Irena Gjoka, pasi kjo e fundit vendosi që në seancën gjyqësore të Berishës të mos ishin të pranishme mediat.
Avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kanë depozituar dje edhe kërkesën për përjashtimin nga çështja të kësaj gjyqtare, pasi sipas tyre ajo është në konflikt të hapur interesi, sepse është pushuar nga puna në vitin 1996 nga Sali Berisha.
Vendimi për kërkesën e SPAK për të vendosur Berishën nën masë sigurie “arrest shtëpie” do të jepet sot në orën 15:00.