Gjykata vendos: Vula e Partisë Demokratike i kalon Rithemelimit të Sali Berishës

Gjykata e Apelit ka vendosur me vendim të formës së prerë se vula dhe logoja e Partisë Demokratike do t’i kalojë Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.

Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Alma Ahmeti si relatore dhe anëtarët Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Tashmë merr fund edhe dilema e madhe e demokratëve për vulën, pas një beteje ligjore prej më shumë se 2 vitesh, ku logon dhe vulën e kishte Lulzim Basha.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë, gjyqtari Agron Zhukri njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit të Rithemelimit dhe ia kaloi vulën Sali Berishës, por ky vendim u dërgua në Apel nga Enkelejd Alibeaj. Gjykata e Apelit doli me vendim në datën 3 mars 2023, ku kërkoi që çështja të kthehej sërish në Shkallën e Parë, por “Rithemelimi” bëri rekurs dhe u dërgua në Gjykatën e Lartë.

Kjo e fundit vendosi që ta kalojë sërish çështjen në Apel, por me një tjetër trupë gjykuese, për t’i dhënë fund njëherë e mirë çështjes që po mban “peng” Partinë Demokratike prej rreth 3 vitesh. Në vendimin e publikuar, Gjykata e Lartë thotë se Gjykata e Apelit “nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim”.

Por nga sot, Sali Berisha është edhe zyrtarisht kryetar i Partisë Demokratike, ndërkohë që Lulzim Basha ka mundësinë që të bëjë sërish rekurs në Gjykatën e Lartë, por deri atëherë, vula dhe logo janë të Rithemelimit, që me sa duket në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të garojë me simbolet zyrtare të PD-së.