Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar nga burgu tre nga 4 autorët e vrasjes së 18 vjeçarit Aureljo Dervishi, ngjarje e ndodhur më datë 31 Mars të vitit të kaluar në afërsi të rrethrrotullimit në Shkozë. Ka qenë i ati i të riut që ka bërë denoncimin në emisionin Fiks Fare ku ka thënë se ata janë liruar më datë 25 Mars.
Azbi Dervishi u shpreh se procesi është zvarritur prej kohësh ndërsa shtoi se pas lirimit të autorëve ata janë vrarë për herë të dytë.
“E zvarrisin, njëherë mungon njëri avokat dhe njëherë tjetri. E kanë bërë modë këtë. Gjithmonë mungon dikush. Vetëm kur, në datën 25 mars 2025, Gjykata e Apelit liroi 3 nga 4 autorët. Liroi edhe atë që e qëlloi me thikë. Ata janë nga 16 dhe 17 vjeç, po edhe djali im sapo kishte mbushur 18 vjeç. Janë bashkëmoshatarë”, thotë Azbi Dervishi.
Më tej shton se as nuk e kanë thirrur në Gjykatën e Apelit, ku u ndryshua masa e sigurisë për 3 nga 4 autorët. “As na thirrën në Apel dhe asnjë gjë. Nuk e di si e bënë, po ata tani janë në familjet e tyre dhe djali im në dhe. Kush mban përgjegjësi? Ta hetojnë dhe gjykojnë shpejt, vetëm e vetëm zvarritet”, thotë babai i viktimës, teksa ka edhe një apel për drejtësinë. “Të veprojnë ata, atyre ua kam lënë deri tani. Mos të veprojmë ne familjarët”, shton ai.
Më datë 25 mars 2025, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit vendosi të lirojë autorin kryesor Shahin Hafizi dhe dy të tjerët nga burgu, duke dhënë masën e arrestit shtëpiak. Arsyeja ishte se kanë përfunduar afatet e paraburgimit, ku në vepra penale që dënohen deri në 10 vite burg, afati është vetëm 6 muaj në hetim dhe 6 muaj në gjykim.