Gjykata Kushtetuese vendos sërish PRO qeverisë, rrëzon kërkesën e opozitës për marrëveshjen e Portit të Durrësit

Tashmë nuk përbën më lajm, Gjykata Kushtetuese ka vendosur sërish në favor të qeverisë. Këtë herë “Kushtetuesja” ka rrëzuar kërkesën e opozitës për të anuluar marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara për Portin e Durrësit.

Deputetët e opozitës e kanë cilësuar këtë amrrëveshje si aferë koruptive, por sipas Gjykatës, nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe tashmë kompania mund të fillojë projektin që ka planifikuar.

Sipas planit, Porti i Durrësit do të bëhet një nga më modernët në Ballkan dhe Europë, ndërkohë që ka filluar edhe shitja e apartamenteve që do të jenë përreth tij, me çmime që qytetarët shqiptarë nuk mund t’i përballojnë. Pra, ky port do të jetë një kompleks luksi ku do të banojnë qeveritarët de politikanët, të cilët do të blejnë apartamentet me lekët e vjedhura nga qytetarët.

Njoftimi i Gjykatës:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me nr. 7 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (36 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 145/2020, datë 03.12.2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 145/2020, datë 02.12.2020, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “a” dhe “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52, 52/a dhe 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.