Gjykata Kushtetuese ka shtyrë sot kërkesën për çështjen e Butrintit me argumentin se 36 deputetët firmëtarë si palë në këtë çeshtje nuk kanë dhënë autorizimin për t’i përfaqësuar.
Deputetja Ina Zhupa, e cila ka kundërshtuar duke çuar në Gjykatë marrëveshjen për menaxhimin e Parkut ka kërkuar që seanca të zhvillohet më 11 Korrik. Kërkesa e saj është pranuar me kushtin që të mblidhen 28 firma që të fillojë shqyrtimi i çështjes.
Deputetja Zhupa tha më herët se janë plot 13 shkelje të Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare nga ky koncesion.
“E para që i ndodh Butrintit nëse GJK nuk vepron, ndërtohet në Butrint, që është një zonë e mbrojtur. Ajo që ndodh në Butrint është se çdo gjetje do të interpretohet nga ky grup dhe të ngatërrojnë historinë me tezat greke. Butrinti i hiqet nga kompetencat gjithë organeve të shtetit”, u shpreh Zhupa.
Tre vite më parë u vendos që Parku i Butrintit të menaxhohet me Partneritet Publik-Privat, në bashkëpunim me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Kjo është hera e parë që një trashëgimi kulturore si Butrinti menaxhohet prej një subjekti jo publik, duke ngritur shqetësime për këtë mënyrë menaxhimi. Në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 hektar në 8.622,2 hektar. Pra, një sipërfaqe prej rreth 800 hektar nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike, por që ka shkatuar shumë debate në Kuvend.