Gjykata Kushtetuese mblidhet sot për pezullimin e Belinda Ballukut, pritet vendimi

Gjykata Kushtetuese do të mblidhet ditën e sotme për të dalë me një vendim përfundimtar për ankimimin e qeverisë mbi pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku nga SPAK.

Shqyrtimi i plotë i çështjes u bë javën e kaluar por Kushtetuesja nuk doli me një vendim, që pritet me interes pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimin e mazhorancës për t’i hequr ose jo imunitetin Ballukut, siç ka kërkuar SPAK.

Në kërkesën e qeverisë thuhet se SPAK po tejkalon kompetencat, pasi ministri gëzon imunitet ashtu si deputeti dhe nuk mund të pezullohet nga detyra, ndërsa prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kanë deklaruar se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit dhe se nuk ekziston konflikt kompetencash mes pushteteve.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti rreth 210 milionë euro.

GJKKO e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes u bë në 27 Janar, por pa u marrë një vendim.

Ndërkohë, SPAK nuk ka hezituar dhe ka kërkuar të arrestojë Ballukun, pasi e konsideron rrezik për prishjen e provave, argumentim që e dha edhe për pezullimin nga detyra. Tashmë do t’i takojë Kuvendit të marrë vendim, nëse do të pranojë heqjen apo jo të imunitetit të Belinda Ballukut.