Gjykata heq sekuestron ndaj disa pronave të ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri

Gjykata e Posaçme ka hequr sekuestron ndaj disa pronave të bllokuara për llogari të ish-kreut të Operacionales, Oltion Bistri, i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Bëhet fjalë për 2 apartamente dhe tre dyqane të kompanisë “Arlis Ndërtim” që ishin porositur nga Oltion Bistri dhe familjarët e tij, për të cilat kishin paguar 1 milion e 300 mijë euro.

Me heqjen e sekuestros, apartamentet dhe dyqanet i kthehen shoqërisë “Arlis” ndërsa paratë që kompania kishte marrë nga Bistri dhe familjarët, i kalojnë Drejtorisë së Administrimit të Aseteve të Pasurive të Sekuestruara.

Oltion Bistri, i cili u arrestua në korrik të vitit që shkoi në atë që njihet si operacioni “Metamorfoza”, akuzohet nga SPAK se është përfshirë në veprimtari kriminale që prej vitit 2016 dhe se pasuria e vënë i përket kësaj veprimtarie.

Në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, zbërthimi i aplikacioneve Encro Chat dhe SKY ECC zbuloi rrjetin e anëtarëve të grupit kriminal, ku përfshihej edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri.