Gjykata e Tiranës lë në burg 5 protestuesit e opozitës, 6 në “detyrim paraqitje”

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 protestues, ndërsa për 6 të tjerë është vendosur masa “detyrim paraqitjeje”, në lidhje me protestën e organizuar të premten e kaluar përpara Kryeministrisë, tubim i cili u shoqërua me tensione të forta.

Në burg u lanë: Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvel Tocilla dhe Semi Bici.

Ndërsa shtetasit, Igball Domi, Gentjan Tuga, Edison Shyti, Bardhyl Ndou, Sokol Bajraktari dhe Ernest Kapo, janë lënë në detyrim paraqitje.

Kjo është hera e parë që protestuesit dënohen dhe lihen në burg.

I gjithë grupi i të arrestuarve akuzohen për kryerjen e veprave penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës me zjarr”, “Kundërshtim i punonjësit të rendit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e mjeteve të rrezikshme”.