Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn, rrëzon rekursin e kryebashkiakut të Tiranës

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e “arrestit me burg” për kryebashkiakun Erion Veliaj. Veliaj bëri rekurs në GJL për ndryshim të masës së sigurisë, por kërkesa e tij u rrëzua, ndërsa mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Erion Veliaj u prangos më 10 shkurt me urdhër të SPAK, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash, dhe fshehje pasurie., së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet në masën “detyrim paraqitje”.

Përveç kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për pesë biznesmenë të tjerë, mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi, kompanitë e të cilëve janë përfituese të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë.