Gjykata e Korçës ka liruar nga burgu Leonidha Guçen dhe Denis Meçen, të dyshuar për vrasjen e Egli Progës, në 10 Gusht të vitit 2024 në qytetin e Pogradecit.
Për dy të dyshuarit, Gjykata ka vendosur masë më të lehtë sigurie deri në përfundim të hetimeve, “arrest në shtëpi”, pasi u ka përfunduar afati i paraburgimit.
Aktualisht çështja ka ngrirë deri në zbardhjen e kamerave të sigurisë të lokalit “Stropcka” ku ndodhi ngjarja. Pamjet filmike janë fshirë, ndaj janë dërguar jashtë vendit për ekspertim dhe rikthimin e tyre, që do të çonte në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Leonidha Guçe dhe Denis Meçe akuzohen për “vrasje me dashje”, por tashmë do të presin përfundimin e hetimeve në shtëpi dhe jo në qelitë e burgut.
Ndërkohë, Arjan Manellari, Voltan dhe Andi Shkulaku, të akuzuar për moskallëzim krimi, po hetohen në gjendje të lirë, me masë sigurie “detyrim paraqitje”.