GJKKO vendos masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Ajola Xoxën

Së bashku me masën e sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliajn, Gjykata e Posaçme ka vendosur edhe masën e sigurisë “arrest shtëpie” për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën.

Masat e sigurisë janë kërkuar nga prokurori Olsi Dado, pasi si Veliaj dhe Xoxa akuzohen për disa vepra penale.

Më datë 6 dhjetor, agjentët e BKH shkuan për kontroll në banesën e kryebashkiakut ku sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij. Kontrolle pati edhe në qendrën “Harabel”, ku Ajola Xoxa është bashkëthemeluese.

Po ashtu agjentët e BKH kryen kontrolle edhe në banesën e vëllait të Erion Veliajt. Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, familjarët e kryebashkiakut Erion Veliaj, ankimuan vendimet e kontrolleve, por u rrëzuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Erion Veliaj akuzohet për veprat penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.