Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për kthimin e celularit të sekuestruar nga SPAK.
Gjyqtarja Atalanta Zeqiri nuk pranoi kërkesën e saj për kthimin e telefonit, ndërkohë që vijon seanca për Arbër Veliajn, vëllanë e Erion Veliajt.
Ndërkohë, në Apelin e Posaçëm është dërguar një tjetër kërkesë nga avokatët mbrojtës të Veliajt dhe Xoxës, të cilët i kanë cilësuar të paligjshme kontrollet e agjentëve të BKH-së në banesat dhe zyrat e tyre.
Ende nuk është bërë e ditur data kur do zhvillohet kjo seancë, ndërsa si gjyqtare e shqyrtimit të kërkesës është caktuar Ilirjana Olldashi.
Kujtojmë se në 6 dhjetor 2024, agjentët e BKH-së ushtruan kontrolle në qendrën “Harabel”, ku Ajola Xoxa është bashkëthemeluese, ku sekuestruan dokumente dhe materiale që pritet t’i ndihmojnë në hetimin ndaj Erion Veliajt, në lidhje me pasurinë e tij dhe të familjarëve.