Gjykata e Posaçme ka pezulluar nga detyra zv.kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Ballukun. Gjithashtu asaj i është ndaluar edhe largimi jashtë vendit.
Ky pezullim vjen pasi ajo u mor e pandehur nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë, ku akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, akuzat lidhen me veprimet e ministres Balluku në cilësinë e saj si drejtuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në lidhje me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën SH8 (Vlorë–Sarandë).
Tenderi në fjalë është zhvilluar më 11 dhjetor 2020, ndërsa pas anulimit të tij, procedura është rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18.9 miliardë lekë.
Të pandehur nga SPAK janë marrë edhe kreu i ARRSH-së Gentjan Gjyli, ish- kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili është aktualisht në burg është në mesin e të pandehurve, së bashku me drejtorin e KESH, Erald Elezi, si dhe Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica.
Njoftimi i SPAK (31 Tetor)
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00