GJKKO liron nga arresti shtëpiak Jamarbër Malltezin, rrëzohet kërkesa e gjyqtares Ulliri

Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion ka ndryshuar sot masën e sigurisë ndaj Jamarbër Malltezit, sa i takon dosjes “Partizani”.

Në seancën e sotme, GJKKO vendosi që të lirojë Malltezin, i cili prej dy vitesh ishte në masën “arrest shtëpie” kundrejt një garancie pasurore prej 3 milionë lekësh.

“Kemi të bëjmë me proces të ndotur, me urdhër politik, do të jem në të gjitha seancat dhe do të përballemi, ka kaq shumë gjëra qesharake sa nuk e keni idenë. Shuma besoj ishte 3 milionë lekë por ta mësoj kur të marr dokumentin”, u shpreh Malltezi pas vendimit të GJKKO.

Ndërkohë në seancën e sotme mësohet se është rrëzuar edhe kërkesa e gjyqtares Elsa Ulliri për të hequr dorë nga gjykimi i kësaj dosje, ku i pandehur është edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion.

Ndërkohë Malltezi, akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Në këtë çështje janë përfshirë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash; Xhimi Begeja, ortak i Malltezit dhe trashëgimtar i tokës ku ndodhej ish-kompleksi “Partizani”, i akuzuar për pastrim parash; si dhe Andia Pustina, financiere e kompanisë “Homeplan”, e dyshuar për kryerjen e operacioneve financiare dhe ligjore që lidhen me pastrimin e parave.