GJKKO lë në burg Lulzim Berishën, ish-kreu i bandës së Durrësit u ekstradua dy ditë më parë nga Spanja

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Lulzim Berishën, i cili u ekstradua dy ditë më parë në Spanja. Ish-kreu i bandës së Durrësit u arrestua në dhjetor të 2023-it teksa fshihej në Alicante të Spanjës me identitet bullgar.

Lulzim Berisha akuzohet për disa ngjarje kriminale. Në vitin 2020, ai u shpall në kërkim nga SPAK për vrasjen e bujshme të 2005-ës, atë të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, të cilat hetuesit i zbardhën me 15 vite vonesë. Më vonë çështja ndaj Vajdin Lames u pushua për mungës provash dhe vijonte vetëm për Klodian Saliun.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.

Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Më pas Lulzim Berisha fitoi lirinë me kusht nga Gjykata e Apelit të Durrësit, edhe falë mbështetjes së ish-kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili i dha gjykatës garanci se Berisha do të punësohej në Bashkinë e Durrësit, nëse ai nuk gjente punë në sektorin privat.

Ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit 2021, duke e rikthyer Berishën në listën e personave të kërkuar.