GJKKO ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Fatmir Mediut, për riekspertim financiar. Mediu dhe avokatët mbrojtës kërkuan akt të ri ekspertimi për dëmin ekonomik që u shkaktua në fabrikën e demontimi të armëve në Gërdec, por trupa gjyqësore hodhi poshtë kërkesën e ish ministrit.
Në një deklaratë për mediat, Mediu tha se duan me pajetër një “kokë turku” për shpërthimin në Gërdec në 2008, ku humbën jetën 26 persona.
Mediu po ashtu tha se pas ngjarjes, ai dha dorëheqjen si një akt moral, dhe se nuk duhet të keqpërdoret.
“Duan një kokë turku për shpërthimin. Pse nuk pranojnë të bëjnë një akt ekspertimi, nuk pranojnë sepse duan të bëjnë një gjyq politik, duan gjueti shtrigash. Asnjë nga ata që ka bërë urdhrin 550 nuk e ka bërë burgun.
Urdhri përgatitet nga stafi civil dhe ushtarak dhe firmoset nga ministri. Ka në ministrinë e Mbrojtjes akte që tregojnë sa janë kostot dhe kush i paguan kostot. Ministri i referohet akteve ligjore që janë sipër tij.
Gjyqin politik e ka bërë politika, nëse SPAK ka ardhur te ideja e bilanceve të dënimeve politike, nuk mendoj se është drejtësi më. Kjo që kërkon SPAK në akuzë ndodh vetëm në juntat ushtarake.
Unë kam firmosur procesin për demontimin sepse ka qenë kërkesë ligjore, e kam pasur detyrim. Nuk e dija se ku është Gërdeci.
Nëse shoh këto shkelje flagrante të ligjit, ta shohin drejtpërdrejt këtë debat gjyqësor dhe faktet. Kam heshtur dhe nuk e kam bërë publik”- tha mes të tjerash Fatmir Mediu.
Seanca e radhës ndaj Mediut u caktua me datë 29 maj, ora 9:00.