Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe është dënuar nga GJKKO për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.
SPAK i kërkoi gjykatës të dënojë me 1 vit e 5 muaj burg Tushen për akuzën e “mosdeklarimit, fshehje e deklarim të rremë të pasurisë”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK kërkoi uljen e një të tretës dhe dënimin e tij me 1 vit heqje lirie.
Sipas SPAK, Tushe nuk ka deklaruar në ILDKPI një apartament 82.3 m2 në Lungomare, Vlorë, një borxh të marrë, si edhe 2 automjete në një vlerë në total prej gati 50 mijë euro.
Dënimi i kërkuar është kundërshtuar nga avokati i Tushës, Dritan Trifka.
Në konkluzionet përfundimtare avokati i ka kërkuar gjykatës pezullim të dënimit me burg dhe lënien e klientit në Shërbim Prove.
Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e avokatit duke e dënuar përfundimisht me 2 vjet shërbim prove.
Ish-kryebashkiaku socialist ishte dënuar më herët, në korrik të 2022 me 2 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, teksa SPAK kërkonte dënimin e tij me 5 vite.