Gjykata e Posaçme ka dënuar me 12 vite burg Astrit Avdyli, kreun e bandës së Shijakut, i akuzuar për disa vepra penale.
Vendimi u dha sot nga trupa gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri.
Sipas vendimit të trupit gjykues, Avdyli u dënua me 12 vite burg për trafikim narkotikësh në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, 3 vite për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe 5 vite për mbajtje pa leje të armëve.
Me bashkimin e dënimeve, ai u dënua përfundimisht me 12 vite burg, që do t’i kryejë në një institucion të sigurisë së lartë.
Vendimi i GJKKO-së:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani)”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin nr. 13, datë 11.02.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi parë, 28/4 dhe në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë, të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 të K.Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
4. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli alias Sulejmani), përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), të fillojë nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
6. Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, në lidhje edhe me nenin 36, pika 1, shkronja “a” të K.Penal, prova materiale e sekuestruar, arma pistoletë, me mbishkrimin ËALTER-P.P.Q-Made in Germany, me numër ****, të kalojë në favor të shtetit.
7. Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet hetimore gjatë fazës së hetimeve paraprake në raport me të bashkëpandehurit e tjerë, ndërsa ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar.